Pas shpalljes së epidemisë së gastroenteriteve akute në Komunën e Gostivarit, Ministria e Shëndetësisë, me rekomandim të Komisionit për Sëmundje Infektive, po zbaton mbikëqyrje të shtuar shëndetësore dhe epidemiologjike me qëllim zbulimin në kohë dhe parandalimin e shfaqjes së mundshme të sëmundjeve që transmetohen në rrugë fekalo-orale.

Edhe pse situata epidemiologjike po stabilizohet, disa sëmundje mund të kenë një periudhë më të gjatë inkubacioni. Për këtë arsye, gjatë javëve në vijim u rekomandojmë qytetarëve të ndjekin me kujdes gjendjen e tyre shëndetësore.

Nëse shfaqen:

  • zverdhje e lëkurës ose e syve;
  • urinë me ngjyrë të errët;
  • jashtëqitje me ngjyrë të çelët;
  • nauze ose të vjella;
  • temperaturë e lartë trupore;
  • lodhje e theksuar;
  • dhimbje nën harkun e djathtë brinjor;
  • humbje e oreksit,

paraqituni te mjeku juaj amë.

Nuk rekomandohet vetë-mjekimi ose shtyrja e kontrollit mjekësor.

Njëkohësisht, ju rikujtojmë se mbrojtja më e mirë nga sëmundjet që transmetohen në rrugë fekalo-orale është zbatimi i vazhdueshëm i masave themelore të higjienës:

  • larja e rregullt e duarve me ujë dhe sapun (veçanërisht pas përdorimit të tualetit);
  • përdorimi vetëm i ujit të sigurt për pije;
  • larja e mirë e frutave dhe perimeve me ujë të sigurt për pije;
  • përpunimi termik i ushqimit në temperaturë mbi 70°C;
  • mbajtja e higjienës së mirë personale.

Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik, Qendrat për Shëndet Publik dhe institucionet shëndetësore vazhdojnë me mbikëqyrje të shtuar dhe e monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme situatën epidemiologjike.

Qytetarët do të informohen me kohë për çdo zhvillim të ri dhe për çdo rekomandim shtesë.Ministria e Shëndetësisë, korrik 2026