Një fushatë për të rritur ndërgjegjësimin për gripin dhe rëndësinë e vaksinimit kundër gripit sezonal, sidomos tek njerëzit me rrezik të lartë të infeksionit të rëndë me komplikime të mundshme, kryhet çdo vit në tetor në Evropë me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Pse është specifike fushata për gripin?

Gripi është një sëmundje nga e cila shumica e njerëzve shërohen shpejt. Por disa njerëz janë në rrezik të lartë nga komplikimet serioze, disa prej të cilave mund të jenë kërcënim për jetën dhe të rezultojnë me vdekje.  Njerëzit më të vjetër se 65 vjeç, gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël dhe njerëzit me gjendje të tjera shëndetësore  krahasuar  me të tjerët kanë më shumë mundësi  të zhvillojnë një sëmundje të rëndë në rast të gripit. Për dallim nga këta individë, profesionistët e shëndetësisë në përditshmërine e tyre janë më të ekspozuar ndaj viruseve të ndryshme, duke përfshirë virusin e gripit dhe duhet të vaksinohen për të mbrojtur veten dhe pacientët e tyre.

Cdo vit gripi paraqet një ngarkesë të madhe për shëndetin e njerëzve në Evropë dhe në botë. Vlerësohet se në vendet e Evropës çdo vit rreth 50 milion njerëz preken nga grip, dhe si pasojë ndërmjet 15 000 – 70 000 mendohet të vdesin nga komplikimet lidhur me gripin.  Përveç kësaj, si rezultat i gripit, evidentohen shumë mungesa nga puna, humbje në prodhim dhe presion mbi shërbimet shëndetësore dhe sociale, si dhe kosto të larta sociale dhe ekonomike.

Vaksinimi është mënyra më e mirë për tu mbrojtur nga gripin. Duke pasur parasysh se viruset e gripit po ndryshojnë çdo vit, vaksinimi kundër virusit të gripit nevojitet çdo vit në sezonin aktual. Tetori është koha optimale për të marrë një vaksinë kundër gripit.

Bashkohuni me nismën për të rritur mbulimin e vaksinimit duke rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e vaksinimit!

Leave a Comment