Obeziteti është një sfidë globale që prek të gjitha segmentet e shoqërisë, pavarësisht nga gjinia, mosha, statusi social apo vendbanimi. Në Maqedoninë e Veriut, ashtu si në mbarë botën, po përballemi me norma në rritje të obezitetit. Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se 30.4% e fëmijëve të moshës 6-9 vjeç janë mbipeshë. Nga këto, 13.8% jetojnë me obezitet, dhe 4.4% me obezitet ekstrem. Megjithatë, përpjekjet e mëparshme, të cilat u drejtoheshin kryesisht individëve, nuk janë më të mjaftueshme.
Në Ditën Botërore të Obezitetit 2025, është koha për t’u bashkuar për të ndryshuar sistemet që mbështesin këtë krizë shëndetësore. Koha për të mposhtur të ashtuquajturin “mjedis obezogenik”.
Obeziteti nuk është vetëm rezultat i zgjedhjeve të këqija ose mungesës së disiplinës. Është një sëmundje që rrit gjasat për të zhvilluar probleme të tjera serioze shëndetësore, si sëmundjet e zemrës, diabeti dhe kanceri. Prandaj është e rëndësishme të njihet obeziteti si sëmundje dhe të integrohet në sistemet shëndetësore si një prioritet bazë për parandalimin dhe trajtimin.
