Sot, më datë 05.03.2026 në Komunën e Bogovinës u mbajt takim pune ndërmjet Kryetarit të Komunës dhe përfaqësuesve të Qendrës për Shëndet Publik.
Në takim mori pjesë Drejtori i Qendrës për Shëndet Publik, Dr. Shaqir Zulbeari, së bashku me ekipin profesional të përbërë nga Dr. Naim Skenderi – epidemiolog, Argjend Bajrami – teknolog dhe Aleksandra Mirchevska – përgjegjëse për furnizim publik.
Gjatë takimit u diskutua për aktivitetet dhe masat që duhet të ndërmerren në nivel komunal lidhur me procesin e dezinfektimit, dezinsektimit dhe deratizimit, si masa të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit publik. Po ashtu, një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua dezinfektimit të ujit dhe kujdesit për sigurimin e ujit të pastër dhe të sigurt për pije për qytetarët e Komunës së Bogovinës.
Në takim u theksua rëndësia e bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve për realizimin me sukses të këtyre aktiviteteve dhe për përmirësimin e kushteve higjieno-sanitare në komunë, me qëllim mbrojtjen dhe avancimin e shëndetit të qytetarëve.
