Pas paraqitjes së një numri të shtuar të rasteve me simptoma të të vjellave dhe diarresë në territorin e Komunës së Gostivarit, Qendra për Shëndet Publik është angazhuar menjëherë në terren për identifikimin e shkaktarit.
Janë marrë mostra të ujit dhe mostra të tjera sipas protokolleve epidemiologjike, të cilat janë dërguar për analiza laboratorike. Ekipet tona janë në koordinim të vazhdueshëm dhe po punojnë intensivisht për zbardhjen e shkaktarit të kësaj situate.
Menjëherë pas përfundimit të analizave dhe sigurimit të rezultateve zyrtare, opinioni publik do të informohet në mënyrë transparente dhe me kohë.
Falënderojmë qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.
Qendra për Shëndet Publik Tetovë