Deri në vitin 2035, pritet që gjysma e popullsisë botërore – rreth 4 miliardë njerëz – të jetojnë me mbipeshë ose obezitet.

Ky nuk është vetëm një problem i të rriturve.

Obeziteti tek fëmijët po rritet shpejt, ndërsa normat tek fëmijët e moshës shkollore janë rritur pothuajse pesë herë që nga viti 1975, veçanërisht në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Obeziteti në fëmijëri shpesh vazhdon edhe në moshën e rritur, duke rritur rrezikun e sëmundjeve të rënda jo të transmetueshme si diabeti, sëmundjet e zemrës dhe disa lloje kanceri. Varfëria, stigma, qasja e pabarabartë në arsim dhe kujdes shëndetësor, disponueshmëria e kufizuar e ushqimit të shëndetshëm dhe mjediset që nuk mbështesin një jetë të shëndetshme, të gjitha ndikojnë në rrezikun dhe rezultatet gjatë jetës.

Pothuajse 3 miliardë njerëz, përfshirë mbi 400 milionë fëmijë të moshës shkollore, tashmë jetojnë me mbipeshë ose obezitet – një shifër që parashikohet të arrijë në 4 miliardë deri në vitin 2035.

Gjetjet nga studimi i Iniciativës Evropiane për Monitorimin e Obezitetit te Fëmijët (COSI) tregojnë sfida serioze lidhur me ushqyerjen dhe peshën trupore te fëmijët nga 6 deri në 9 vjeç në Maqedoni.

Pesha trupore

31,2% e fëmijëve kanë peshë të shtuar trupore, ndërsa 13,7% e tyre jetojnë me obezitet – që është mbi mesataren e rajonit evropian, përkatësisht 25% dhe 11%.

Pesha e shtuar dhe obeziteti janë më të shpeshta tek djemtë krahasuar me vajzat.

Zakonet e të ushqyerit

Vetëm 25% e fëmijëve konsumojnë çdo ditë fruta të freskëta – kjo është konsumi më i ulët ditor i frutave në të gjithë rajonin evropian.

20% konsumojnë çdo ditë perime të freskëta – gjithashtu ndër nivelet më të ulëta në Evropë.

40% e fëmijëve konsumojnë ushqime të kripura – më shumë se në shtetet e tjera të përfshira në studimin COSI në rajonin evropian.

Më shumë se gjysma (51%) e fëmijëve konsumojnë rregullisht ushqime të ëmbla tri ose më shumë ditë në javë.

Aktiviteti fizik

40% e fëmijëve kalojnë më shumë se dy orë në ditë para ekraneve (televizor ose pajisje elektronike).

63,3% e fëmijëve shkojnë në shkollë në këmbë ose me biçikletë; tek ata që jetojnë në distancë deri në 2 km, këtë zakon e praktikojnë deri në 89%.

94% e fëmijëve kanë çdo ditë të paktën një orë lojë aktive me intensitet të moderuar deri të lartë.

48,2% merren me sport ose vallëzim për më shumë se dy orë në javë.

Shumica e madhe, 88,6%, flenë të paktën 9 orë gjatë natës.

Faktorët socialë dhe perceptimi i prindërve

Fëmijët me peshë të shtuar dhe obezitet jetojnë në familje ku prindërit kanë nivel të ulët ose të mesëm të arsimit formal.

Fëmijët që praktikojnë zakone që mbështesin shëndetin jetojnë me prindër që kanë nivel më të lartë arsimor.

Ekziston një ndërgjegjësim i ulët tek prindërit për të njohur peshën e shtuar dhe obezitetin tek fëmijët e tyre. Për më shumë se gjysmën e fëmijëve që kanë peshë të shtuar dhe/ose obezitet, prindërit e kanë perceptuar peshën e tyre si brenda kufijve të rekomanduar të “peshës normale”.

Obeziteti si problem duhet të kuptohet, jo të stigmatizohet. Duke i dhënë përparësi parandalimit që në vitet e para dhe duke siguruar qasje të barabartë në kujdes shëndetësor, ne mund ta ndryshojmë këtë situatë.

Dita Botërore e Obezitetit 2026 është një thirrje për veprim për secilin prej nesh.

Së bashku, mund ta ndryshojmë historinë e obezitetit.