Të nderuar qytetarë të Gostivarit,
Qendra për Shëndet Publik – Tetovë, në bashkëpunim me Departamentin e Epidemiologjisë, ju njofton se është marrë vendim për shpalljen e Epidemisë gastrointestinale në territorin e Komunës së Gostivarit, si pasojë e rritjes së numrit të rasteve të paraqitura gjatë ditëve të fundit.
Ky vendim do të mundësojë një reagim më të shpejtë dhe më efikas në terren, koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve kompetente dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme për identifikimin e burimit të infeksionit, parandalimin e përhapjes së mëtejshme dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Apelojmë për respektimin e rekomandimeve të institucioneve shëndetësore, ruajtjen e higjienës personale, konsumimin vetëm të ujit të sigurt për pije dhe paraqitjen në institucionet shëndetësore në rast të simptomave si diarre, të vjella, temperaturë ose dhimbje barku.
Lusim të gjithë pacientët që paraqesin simptoma të bashkëpunojnë me ekipet shëndetësore, të kryejnë rekomandimet e mëtejshme mjekësore, të plotësojnë anketën epidemiologjike dhe të realizojnë analizat e rekomanduara nga mjekët specialistë. Ky bashkëpunim është i një rëndësie të veçantë për identifikimin sa më të shpejtë të shkakut dhe zgjidhjen sa më efikase të kësaj situate.
Qendra për Shëndet Publik – Tetovë do të vazhdojë me monitorimin e vazhdueshëm të situatës dhe do ta informojë opinionin për çdo zhvillim të ri.
Shëndeti dhe siguria e qytetarëve mbeten prioriteti ynë kryesor.