1 Tetori shënon Ditën Botërore të të Moshuarve, një ditë që na kujton rëndësinë e respektit, kujdesit dhe përfshirjes së personave të moshuar në jetën familjare dhe shoqërore.
Moshimi është një proces natyror i jetës dhe nuk duhet të lidhet domosdoshmërisht me sëmundjen apo paaftësinë. Shumë të moshuar mbeten aktivë dhe të pavarur, duke dhënë një kontribut të çmuar në familje dhe komunitet si kujdestarë, vullnetarë dhe përçues të njohurive dhe përvojës.
Me rritjen e jetëgjatësisë dhe numrit të personave të moshuar, rritet edhe nevoja për kujdes shëndetësor cilësor, parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike, mbështetje sociale dhe krijimin e kushteve për një jetë sa më aktive dhe të pavarur.
Investimi në shëndet gjatë gjithë jetës ndihmon në ruajtjen e cilësisë së jetës edhe në moshë të shtyrë. Një shoqëri që kujdeset për të moshuarit dhe vlerëson kontributin e tyre është një shoqëri më solidare dhe më e fortë.
Të promovojmë së bashku një moshim të shëndetshëm, aktiv dhe me dinjitet.
