Në organizim të Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në kuadër të kornizës dhe rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH/WHO), u mbajt një punëtori kushtuar Funksioneve Thelbësore të Shëndetit Publik (Essential Public Health Functions – EPHFs).

Punëtoria kishte për qëllim avancimin e sistemit të shëndetit publik, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e koordinimit ndërmjet institucioneve shëndetësore, në përputhje me parimet dhe standardet ndërkombëtare të OBSH-së.

Gjatë punëtorisë u trajtuan prioritetet dhe sfidat kryesore në zbatimin e funksioneve thelbësore të shëndetit publik, me theks të veçantë në monitorimin e gjendjes shëndetësore të popullatës, mbikëqyrjen epidemiologjike, parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve infektive, promovimin e shëndetit, mbrojtjen shëndetësore të popullatës, si dhe gatishmërinë dhe reagimin ndaj rreziqeve shëndetësore dhe situatave emergjente.

Vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të Qendrave të Shëndetit Publik, si institucione kyçe në realizimin e aktiviteteve parandaluese, mbikëqyrjen epidemiologjike dhe sanitare, diagnostikimin laboratorik mikrobiologjik dhe vlerësimin e rreziqeve për shëndetin e popullatës.

Pjesëmarrja në këtë punëtori përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në shkëmbimin e përvojave profesionale, avancimin e kompetencave dhe forcimin e sistemit të shëndetit publik, duke ndjekur kornizat dhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Shëndeti publik është përgjegjësi e përbashkët, ndërsa parandalimi është themeli i një shoqërie të shëndetshme.